Idenë për korrigjim kufijsh e konsideron të vdekur, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas tij, kushdo që e mendon këtë ide do të varroset keq politikisht.

“Ideja e kufijve e Vuçiçit e Daçiçit e kushdo qoftë është që një shekull gatuajnë ide për ndarje, nuk mund t’i ndajë më askush tokat e shqiptarëve, nuk munden më me i luajt kufijtë në Ballkan. Kushdo që shkon rrugës së korrigjimit të kufijve ka me u varros keq politikisht”.

Sa i përket raportimeve se Haradinaj ishte kritikuar ashpër nga presidenti francez në Samitin e Berlinit, ai tha se ata që po japin deklarata të tilla nuk e kuptojnë Frëngjishten. Ndërsa duke folur për vizitën që gjenerali amerikan është duke i bërë Kosovës, Haradinaj tha se s’ka pasur asnjëherë lëkundje të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.

Gjenerali i Gardës Kombëtare të Iowas, është duke qëndruar në Kosovë për herë të parë pasi kishte anuluar vizitën në fillim të vitit, pasi Kosova kishte refuzuar të pezullonte taksën ndaj produkteve serbe.

Tv Klan