Procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk është zbehur, por është avancuar, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Këto komente, Haradinaj i bëri gjatë një konference në Prishtinë, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se po interpretohet gabimisht çështja e konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave. Haradinaj tha se nuk ka ende vendime, e askritere shtesë, por ka vetëm disa konkluzione.

“Deri më tani nuk ka qenë duke u konsideruar marrja e vendimit nga Këshilli, është hera e parë që kemi mbërri deri te konkluzionet, pra jo që nuk është zbehur, por po afrohet dita kur do ta marrim lajmin e shumëpritur”, theksoi Haradinaj.

Sipas tij, taksa 100 për qind të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina paraqet problem në raportet ndërkombëtare të Kosovës, por kjo taksë theksoi ai, është vendosur ndaj Serbisë dhe nuk ndërlidhet me liberalizimin e vizave, procesin integrues në BE apo me dialogun me Serbinë.

“Siç e dini, Kosova i ka zbatuar të gjitha kushtet, ndërkohë që taksa nuk përmendet në klauzolën për vizat”, tha Haradinaj.

Komentet e Haradinajt pasuan konkluzionet e dala nga takimi i Këshillit të Bashkimit Evropian ku po diskutohet çështja e zgjerimit të bllokut evropian./REL