As sanksionet e fundit të vëna nga SHBA-ja nuk kanë ndikuar në qëndrimin e Kryeministrit Haradinaj për pezullimin e taksës. Haradinaj ka takuar sot ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, për të cilin tha se ka kërkuar sërish pezullimin e taksës.

“Ata sugjerojnë që të pezullohet taksa që t’i hapet rrugë dialogut. Kemi biseduar edhe tema të tjera bilaterale. Qëndrimi ynë është i qartë, unë dua krejt me heq taksën, mirëpo është e lidhur me njohjen nga Serbia dhe sugjerimi im është të mos ndërlidhen temat”.

Sipas kreut të ekzekutivit, Kosova është e interesuar për arritjen e një marrëveshje me Serbinë, pasi siç thotë ai, populli është lodhur duke pritur. Lidhur me letrën e gjeneralit të FSK-së Rrahman Rama drejtuar Presidentit Hashim Thaçi se po rrezikohet një fond prej 12 milionë Dollarësh për FSK-në, Kryeministri tha se ai duhet të rrijë sa më larg nga mediat.

“Gjeneralin Rama e kam koleg, sa më pak që del në media aq më mirë është, nëse e ka zor me mbajt ushtrinë, është ndonjë djalë i ri që mund ta marr këtë detyrë. Kur ishte Gjykata Speciale nuk u mërzitshin për Amerikën”.

Vendimi i qeverisë për taksën do të ndikojë edhe në mënyrën e vazhdimit të angazhimit të NATO-s në Kosovë.

Tv Klan