Ende e paqartë zgjidhja e situatës politike

Menjëherë pas dorëheqjes, Ramush Haradinaj vazhdoi me aktivitetet e tij si Kryeministër në dorëheqje. Njësoj kanë vepruar edhe ministrat e kabinetit të tij. Madje për nesër është paralajmëruar mbledhja e radhës e qeverisë.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se Haradinaj me aktin e dorëheqjes nuk është më Kryeministër në dorëheqje, por ish-Kryeministër.

Rrjedhimisht, siç thotë ai, si ish-Kryeministri edhe ish-ministrat nuk duhet të organizojnë mbledhje të qeverisë dhe se funksioni i tyre tashmë është shuar.

Por ndryshe mendon politologu Ramush Tahiri. Ndërkaq, sipas Kushtetutës, Neni 95, pika 5, nëse Kryeministri jep dorëheqjen, posti i tij mbetet i lirë, qeveria bie.

“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në Kushtetutën  e Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, përmes një postimi në Facebook ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, duke shkruar se kjo mbledhje është skandaloze.

Pas dorëheqjes së kryeministrit partitë politike vazhdojnë të kërkojnë nga presidenti të nis konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, derisa përjashtojnë mundësinë e krijimit të një qeverie teknike.

Nesër bëhen një javë që kur ka dhënë dorëheqje Ramush Haradinaj nga posti i Kryeministrit dhe ka deklaruar rënien e qeverisë, ndërkohë Presidenti ende nuk i ka ftuar partitë politike për konsultim.

Tv Klan