Një deklaratë e Presidentit Thaçi bërë në 20-vjetorin e operacionit “Shigjeta” në Pashtrik për një shtet të përbashkët, ku shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës të jetojnë pa kufij, ka gjetur mbështetjen e Kryeministrit Haradinaj.

Kreu i qeverisë së Kosovës e ka quajtur një projekt historik, duke shtuar se bashkimi duhet të fillojë nga heqja e pengesave, e më konkretisht nga taksa e Rrugës së Kombit.

“Çështja e bashkimit kombëtar është projekt i shekujve, por në etapën që ndodhemi mendoj se është me rëndësi që Kosova e Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin e gjithanshëm, të heqim pengesat burokrative e administrative e të tjera, ose të heqim taksën e rrugës. Do të ishte mirë të veprojmë më konkret dhe të ndihmojmë lidhjen më të fuqishme ekonomike, të gjithanshme Kosovë – Shqipëri”.

Por ndonëse ka përkrahjen e udhëheqjes së Kosovës, teza për bashkimin në një shtet të vetëm nuk ka ngjallur asnjë reagim të institucioneve zyrtare në Tiranë.

E pyetur nga Tv Klan, si zyra Presidentit Meta ashtu dhe ajo e Kryeministrit Rama, kanë zgjedhur të heshtin duke mos dashur t’i komentojnë ato.

Afro një vit më parë, Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Parlamentin e Kosovës hodhi idenë e një Presidenti simbol të unitetit kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa në mbledhjen e dy qeverive në Peje ai  foli për rrugën e bashkimit të shqiptarëve në horizontin e vitit 2025 nën ombrellën e BE-së.

Tv Klan