Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj e ka akuzuar përfaqësuesen e BE-së Federica Mogherini për dialog gjysmë të fshehtë. Duke iu kundërpërgjigjur kërkesës së saj për heqjen e taksës, që të vazhdohet dialogu me Serbinë, ai ka thënë se është pro vazhdimit të dialogut, por ashtu si i ka hije. Ndërsa njohja sipas Haradinajt është kërkimfalje për dëmet që i ka shkaktuar Kosovës.

Qëndrimin e Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daciç për demarkim të kufirit në vija etnike e ka quajtur të rrezikshme. Sipas tij, idetë e tyre për krijimin e shteteve etnike kanë shkaktuar tragjedi në Ballkan.

Haradinaj ka përkrahur idenë e zëvendësit të tij, Behgjet Pacolli, për një takim të përbashkët të spektrit politik për të diskutuar për dialogun dhe taksën. Sa i përket shkuarjes në zgjedhje, kreu i qeverisë ka thënë se mjafton të bëhen 61 vota dhe gjithçka merr fund. Megjithatë, thotë se vetë nuk është për zgjedhje të reja, por do ta respektonte nëse një partner i koalicionit e kërkon një gjë të tillë.

Kreu i PSD-së Shpend Ahmeti i ka dalë në përkrahje Kryeministrit Haradinaj. Ai ia ka bërë të qartë partive opozitare LDK-së dhe LVV-së, si dhe partisë në pushtet PDK-së, se nuk do të kenë votat e PSD-së për rrëzimin e qeverisë Haradinaj për shkak të taksës.

Tv Klan