Për Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Evropa ia ka borxh Kosovës liberalizmin e vizave. Ai për këtë çështje do të flasë edhe në Samitin e Berlinit me dy udhëheqësit kryesorë, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Ndërsa nuk beson se në këtë Samit do të ketë negocim për territorin e Kosovës.

“Samiti i Berlinit është një mundësi e mirë dhe një tavolinë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor dhe Kosova e ka perspektiven evropiane dhe për mua ka shumë rëndësi se Evropa e ka një borxh ndaj Kosovës, pra liberalizimin e vizave dhe vendimi ende nuk është marrë. Aty janë udhëheqësit kryesor si Merkel dhe Macron, shpresoj që të kam mundësi t’ua rikujtoj këtë borxh, nuk mendoj se aty do të ketë negocim për territorin e Kosovës dhe Serbisë e as për Zajednicë”.

Ndërsa pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të PDK-së për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ka thënë se nëse ndokush dëshiron të dalë nga koalicioni mund ta bëjë. Haradinaj tha se nuk e prish kontratën, sepse nuk është tradhtar dhe se do të jetë i fundit që do dalë nga ajo kontratë. Disa zyrtarë të PDK-së kanë përmendur faktin që në zgjedhjet e radhës, kreu i PDK-së që është aktualisht kryetar i Parlamentit të Kosovës, do të jetë kandidat për kryeministër.

Tv Klan