Haradinaj për Thaçin: S’ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të liri



Haradinaj për Thaçin: S’ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të liri

11:50 13/07/2020

Këtë të hënë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet në Hagë ku do të përballet me Gjykatës Speciale pas akuzave për krime lufte.

Në një reagim të bërë në Facebook, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka shprehur mbështetjen e tij për Thaçin, teksa ka vlerësuar përgjigje pozitive të tij për t’u marrë në pyetje.

“Shqiptarët kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe Atdheut. Në çdo rrethanë përgjatë tërë historisë, kemi dëshmuar pjekuri, guxim, mikpritje e bashkëpunim, e këtë e dëshmon edhe gatishmëria jonë anipse nga pozita e viktimës, t’i përgjigjemi thirrjeve të drejtësisë sado të pa drejta qofshin ato.

E vlerësoj lartë gatishmërinë e presidentit Thaçi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale. Lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë. Nuk i kemi ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë ajo e ka kërkuar këtë, pa marrë parasyshë pozitat tona shtetërore, i jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi.

Nuk ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët të lirë në tokën e vet”. /tvklan.al




Të ngjashme