Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar vëllain e rënë dëshmor në luftën e UÇK-së, Luan Haradinaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj shkruan disa rreshta prekëse për vëllain kur thotë se për familjen ka për të qëndruar gjithmonë i ri.

“Luan, neve po na ikin vitet, e ti mbete i ri përgjithmonë. Linde dyzet e shtatë vite më parë, por për ne, mbetesh përherë njëzet e tre vjeç, ashtu siç ke rënë për lirinë tonë. Urime vëlla, 23-vjetori i lindjes”, shkruan Haradinaj.

Ngjarja: Luan Haradinaj u vra më 6 maj të vitit 1997. Së bashku me vëllain e tij Ramush Haradinaj dhe me të tjerë luftëtarë të UÇK-së ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit. Atë ditë, forcat serbe kishin zënë pusi, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, bie i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave.

Me këtë rast plagoset lehtë Ramush Haradinaj. Në ato momente kishte filluar përleshja e armatosur. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda të artilerisë, me qëllim të t’i asgjësonin të gjithë luftëtarët shqiptarë. Pas përpjekjeve të shumta dhe kundërsulmit të shtarëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj arrin t’i afrohet trupit të vëllait. Pasi e sheh të shtrirë dhe me plagë në kokë e fytyrë, konstaton se Luani kishte rënë. Ramush Haradinaj arrin ta tërheqë trupin e pajetë të vëllait. Pas katër orë rrugëtimi, me rastin e tërheqjes, Ramushi me bashkëluftëtarë e bartin mbi supe trupin e Luan Haradinajt dhe shkojnë në fshatin Vlahne. Atje varroset trupi i dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj.

Më 24 Gusht të vitit 1999, trupin e dëshmorit Luan Haradinaj, vëllezërit dhe bashkëluftëtarët e nxjerrin nga vendvarrimi në Vlahne dhe e rivarrosin në fshatin e tij të lindjes, në qëndresën (ish-Gllogjan) heroike, që gjatë luftës çlirimtare kishte shkruar sa e sa faqe heroizmi e lavdie. Në nderim dhe përkujtim të veprës së tij shkëlqimtare, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarin dhe strategun Luan Haradinaj, pas rënies, e ka graduar në Gjeneralmajor./tvklan.al