“Politikanët kosovarë janë pro heqjes së taksës”

Pas thirrjes nga dhomat speciale e gjykatës për krime lufte në Hagë, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës, duke thënë se kërkon të përballet me drejtësinë si qytetar. Por për herë të parë, kryeministri në largim pranon se dorëheqja e parakohshme e tij ka ardhur pas presionit të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve për heqjen e taksës.

“Vendet e QUINT-it, janë të respektuara, dhe janë aleatë të Kosovës dhe janë të interesuara për marrëdhënie të mira me Serbinë. Por ata duhet ta kuptojnë se nuk ka hapësirë më, as për t’i bërë presion Kosovës, sepse me këtë presion e detyruan qeverinë të japë dorëheqje, me masa të çuditshme, e çka tjetër. Nëse duan destabilizimin e Kosovës, ose kthimin e krizave në Ballkan, edhe mund ta bëjnë. Por ashtu nuk fiton askush, as Kosova, as rajoni, e as Bashkësia Ndërkombëtare. Ata kanë mbërri në atë fundin, nëse duan mund të na mbysin, por me presion më nuk mund të na bindin. QUINT-i duhet ta kthejë presionin ndaj Serbisë, e cila në mënyrë joparimore ka vënë kusht vetëm për të filluar dialogu po thotë hiqe taksën. E çka do të kërkojë atëherë për njohje, nëse vetëm për të filluar dialogu e kërkon tregun.”

Në një intervistë për Ekonomia Online, Haradinaj pranon përplasjen me bashkësinë ndërkombëtare, për të penguar ndarjen e Kosovës. Ai akuzon të gjithë klasën politike në Prishtinë se janë pro heqjes së taksës, kur bisedojnë jashtë kamerave.

“Nuk është me çdo kusht dialogu. Unë e di çka kam heq me ndal ndarjen e Kosovës. Shumica e politikanëve të Kosovës, duke dashur t’i hyjë në qejf ndërkombëtarëve me shpresën që ata iu ndihmojnë me ardhur në pushtet, thonë se janë të lehtë në dialog. Por këta po shkaktojnë pasoja për vendin. Edhe ata që thonë në publik se e kanë këtë qëndrim si unë, në dyer të mbyllura përfshirë Albinin, edhe LDK-ja, për PDK-në më dihet iu thonë që ne e heqim taksën dhe kthehemi në dialog. Është gabim që e bëjnë këtë. Nuk mendoj që kjo iu ndihmon atyre, as Kosovës. Ata duhet të jetë të qartë, kthehemi në dialog pa kushte. Shumë e thjeshtë.”

Haradinaj ka folur edhe për zgjedhjet e parakohshme. Ai  thotë se të gjitha sondazhet e nxjerrin të parin koalicionin mes partisë së tij, AAK dhe PSD-së Shopend Ahmetit. Por nënvizon se të vetmen kontratë për t’u zgjedhur sërish kryeministër do ta ketë me popullin.

Tv Klan