“Së shpejti do zbulohet fushata për shkëmbim territoresh”

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj sërish ka thumbuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çështjen e shkëmbimit të territoreve Kosovë- Serbi.

Në pyetjen e gazetarëve rreth debatit të mbrëmshëm në Këshill të Sigurimit të OKB-së të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç me ambasadoren e Kosovës në Washington Vlora Çitaku, ai akuzoi këtë të fundit bashkë me kryeministrin Rama dhe Presidentin e Kosovës Hahsim Thaçi se kanë punuar për ndarje të Kosovës.

“Plot zyrtarë të Kosovës që janë rreshtuar pro ndarjes në emër të shkëmbimit të territoreve kanë bërë gabim të madh, të gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj, qoftë Vlora, presidenti Thaçi qoftë kryeministri Rama. Ky gabim nuk ua ndalon atyre në situata të tjera t’i shërbejnë vendit për tema të tjera. Por po është e vërtetë kanë qenë pjesë e kampanjës për ndarje të Kosovës në emër të shkëmbimit të territoreve.”

Sipas tij angazhimet e tyre për këtë temë do të dalin në pah në të ardhmen.

“Krejt ekipi që e kanë përkrahur Presidentin Thaçi, kryeministrin Rama dhe Presidentin Vuciç gradualisht krejt do t’i keni në media, në Wikileaks dhe në e-maile do t’i gjeni angazhimet e tyre për këtë temë.”

Ka kohë që dy kryeministrat kanë përplasje verbale rreth çështjes së marrëveshjes finale Kosovë Serbi, por që nga samiti i Berlinit këta të dy nuk kanë folur më asnjëherë mes vete.

Tv Klan