Kandidohet nga partia e tij, nëse Thaçi jep dorëheqjen

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj synon postin e Presidentit të Kosovës. Këshilli Drejtues i kësaj partie ka kërkuar që kandidat për President të jetë kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj. Në njoftimin e AAK-së thuhet se këshilli drejtues i partisë ka autorizuar Haradinajn që në emër të partisë të zhvilloj çfarëdo bisedime eventuale për rikonfigurimin e qeverisë.

Nënkryetari i kësaj partie Ardian Gjini ka thënë se çështja e Presidentit mund të krijojë situata të reja.

“Mund të kemi rrethana të reja sa i përket situatës me zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Edhe nëse nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës prapë se prapë për disa muaj duhet të zgjidhjet presidenti i ri”.

Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje në rast të konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale. Pas kësaj është përmendur edhe zgjerimi i koalicionit qeverisës me futjen edhe të PDK-së në koalicionin qeverisës. Ndërsa janë përmendur disa emra të mundshëm të kandidatëve për president të Kosovës.

Por për analistët gjasat më reale janë që kandidatja apo kandidati për këtë post të jetë nga radhët e PDK-së,  LDK-së apo ndonjë kandidat i pavarur. Edhe në rast se nuk konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit mandati i tij si president përfundon në Prill të vitit të ardhshëm.

Tv Klan