Gjermania vazhdon të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, ka konfirmuar Kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Ndonëse nuk pati deklarata pas takimit, Haradinaj nëpërmjet një statusi në Facebook ka bërë të ditur se kanë diskutuar për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe liberalizimin e vizave.

“Falenderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar”, ka shkruar Haradinaj

Analisti Ismail Tasholli këtë takim e vlerëson të rëndësishëm dhe në vazhdën e përpjekjeve për të kthyer vëmendjen kah Ballkani. Takimi Haradinaj-Merkel i ka paraprirë takimit ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, që do të mbahet më 1 Korrik në Paris me ftesë të presidentit francez Emanuel Macron.

Tv Klan