Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e tij se taksa nuk do të hiqet pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Kreu i qeverisë, foli dhe për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-së, ku tha se ata qe po i përkthejnë vendimet e Qeverisë së Kosovës kundër Amerikës, e kanë gabim. Haradinaj konsideron se taksa nuk është vendosur kundër Amerikës, por kundër Rusisë.

“Kur jemi përballë Rusisë asnjë marrëdhënie me Amerikën nuk ka me u prish, kur dinë me ndenjur në drejtën tënde. Përkundrazi kanë me të vlerësuar më shumë dhe në etapa tjera kanë me të përkrahur më shumë. Ne do të rrimë përballë Rusisë, taksa nuk është vendosur kundër Amerikës, po kundër Rusit. Rusi dhe Serbia, nuk po them Serbia, por Rusia ka punuar me na larguar njohjet më parë, me çka dinë ata dhe na i kanë hequr në mënyrë të fshehtë”.

Ndërsa Kryeparlamentari Kadri Veseli, që është edhe kryetar i PDK-së, parti kjo që ka fituar zgjedhjet e fundit, sot nuk ka preferuar të flasë për taksën duke thënë se së shpejti do të dalin me një konferencë për media bashkë me Haradinaj, pikërisht për këtë çështje.

Një ditë më parë, Ambasadori amerikan kërkoi pezullimin e taksës në takimin që pati me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj. Ndërsa Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova nuk merr asnjë vendim pa konsultim të ngushtë me Amerikën.

Tv Klan