Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkon që edhe marrëveshja e arritur mes dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviç, duhet t’i kalojë parlamentit për ratifikim sëbashku me projekt-ligjin për Demarkacionin me Malin e Zi. Kjo deklaratë, sipas së cilës, palët janë marrë vesh për mundësi korrigjimi të shënimit të territorit, nga kryeministri cilësohet si aneks-marrëveshje nga Haradinaj dhe duhet të jetë pjesë e një karakteri ligjor.

“Jemi në proces të zgjidhjes së çështjes së Demarkacionit. Historia do të tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk do të kishim arritur ta bënim të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tani ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, pasi është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”.

Mirëpo Lista Serbe ka vendosur kusht avancimin dhe formimin Asociacionit të Komunave Serbe, për të votuar pro Demarkacionit në Parlament. Marrëveshja me Malin e Zi është në interesin e shqiptarëve të Kosovës, jo të serbëve, thotë deputetit i Listës Srbska, Igor Simiç.

Seanca për votimin e Demarkacionit ishte programuar për të dielën, por u shty për një datë të pacaktuar ende. Mediat në Kosovë shkruajnë se seanca mund të mblidhet të martën në orën 14:00.

Tv Klan