“Është koha që kjo luftë të marrë fund”, ishte kërkesa e prerë që kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris i bëri kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu gjatë takimit në Washington.
Në konferencën për shtyp pas takimit me Netanjahun, ku foli e vetme në rolin e zv/presidentes, Harris tha se ia njihte Izraelit të drejtën e vetëmbrojtjes. Megjithatë, janë shifrat e larta të viktimave mes civilëve palestinezë që e shqetësojnë.
“Nuk mund të qëndrojmë indiferentë para vuajtjeve dhe unë nuk do të hesht. Falë presidentit Joe Biden, mbi tryezë ka një marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve”.
Media dhe analistë të ndryshëm të çështjeve ndërkombëtare mendojnë se Harris shfaqi një gjuhë shumë herë më të ashpër ndaj Netanjahut se Joe Biden. Sipas tyre, duke ashpërsuar gjuhën, Harris po përpiqet të fitojë zemrat e elektoratit të majtë amerikan, të cilët janë të pakënaqur me qasjen e butë të Bidenit ndaj Izraelit.
Takimi 40 minutësh Harris-Netanjahu u zhvillua një ditë pasi kreu i qeverisë izraelite shprehu angazhimin për luftë deri në fitore në Rripin e Gazës.
Tv Klan