Kamala Harris pranoi të shtunën festën e CNN për të debatuar me ish-presidentin  Donald Trump më 23 Tetor, duke e sfiduar rivalin e saj në një tjetër përballje publike, në javët e fundit të fushatës.

“Zëvendëspresidentja Harris është gati për një mundësi tjetër për të ndarë skenën me Donald Trump”, tha drejtuesja e fushatës Jen O’Malley Dillon në një deklaratë. “Donald Trump nuk ka përse të mos jetë dakord për këtë debat”.

Në një postim në Twitter, Harris tha se “do të pranonte me kënaqësi një debat të dytë presidencial” dhe se shpreson që Trump “t’i bashkohet” më 23 Tetor.

Debati do të ishte i ngjashëm me atë që u zhvillua në Qershor mes Trump dhe Presidentit Joe Biden, në studiot e CNN në Atlanta.

Javën e shkuar Trump sugjeroi se mund të jetë i hapur për të marrë pjesë në një debat të tretë presidencial, pas përballjes së 10 Shtatorit me Harris që u zhvillua nga ABC në Filadelfia. “Ndoshta, po isha me humor të mirë”, i tha ai gazetarëve gjatë një ndalese në Kaliforni, pasi më herët kishte postuar në Truth Social se “nuk do ketë një debat të tretë”.

Fushata e Harris e hodhi poshtë njoftimin e Trump, se nuk do kishte një debat tjetër. Një zyrtar tha se ish-presidenti “ndryshon qëndrim çdo ditë”. Ndërkohë zëvendëspresidentja, menjëherë bëri thirrje për një tjetër debat, duke thënë: “Besoj që u detyrohemi votuesve”.

Për Tetorin, CNN u ofroi të dyja kampeve një format të ngjashëm me atë të Qershorit, ku Trump dhe Harris do t’u përgjigjeshin pyetjeve të moderatorëve për 90 minuta, pa audiencë live në studio.

“Si zëvendëspresidentja Harris dhe ish-presidenti Trump janë ftuar për të marrë pjesë në një debat të CNN pasi ne besojmë se populli amerikan do të përfitonte nga një debat i dytë midis dy kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha rrjeti mediatik në një deklaratë.  

“Presim me padurim të marrim një përgjigje nga të dyja kampet, në mënyrë që publiku amerikan të mund të dëgjojë më shumë prej kandidatëve përpara se të marrë vendimin final.”

Debati i CNN midis Trump dhe Biden më 27 Qershor ishte përcaktues për rrjedhën e fushatës. Pas një paraqitjeje të dobët, Biden u tërhoq nga gara dhe caktoi Harris si kandidate të demokratëve./tvklan.al