Ndërpritet qiraja, banorët rikthehen në pallatet e dëmtuara

Banorët e këtij pallati në rrugën “Myslym Keta”, pranë Rruga Urës në fund të muajit Nëntor u nxorrën nga apartamentet pasi u shpall i pabanueshëm.

Banorët përfituan edhe bonus qeraje. Por vetëm për 2 muaj, për dhjetorin dhe janarin, më pas kjo ndihmë u ndërpre.

Shumë prej tyre u rikthyen në apartamentet e tyre edhe pse me mure të çara, pasi nuk e përballojnë dot qiranë. Çdo ditë këta banorë jetojnë me frikë, pasi edhe një lëkundje fare e vogël muret mund tua rrëzojë në tokë.

Ndërkohë që kjo vogëlushe thotë që nga muret e çara futet edhe era në dhomën e vogël ku ajo jeton me prindërit.

Në të tillë situatë është edhe çifti i pensionistëve Dylejman dhe Fatime Saliaj. Dy 80-vjeçarët nuk janë kthyer ende në banesë, por po rrinë në shtëpi me qira.

Akti i konstatimit këtë pallat e ka klasifikuar DS3, që do të thotë dëmtime të mesme dhe përkohësisht i pabanueshëm, deri sa të bëhen riparimet.

Edhe pse këto familje kanë aplikuar online për të përfituar nga skema e rindërtimit ende nuk ju është dhënë asnjë lloj përgjigje zyrtare se çfarë do të bëhet.

Ndërkohë që shumë prej tyre janë pensionistë të vetmuar, ose me fëmijët invalidë. Ndërkohë që qeveria u ka ndaluar të drejtën për të dal jashtë nuk u ka shkuar askush në ndihmë.

Klan Plus