“Harrohet” Kukësi, aeroport në Jug

Posta

“Harrohet” Kukësi, aeroport në Jug

15:15 26/01/2017 https://youtu.be/TWC7I6havrc

Njëmbëdhjetë muaj pas zgjidhjes me marrëveshje të ekskluzivitetit që ka në ajrin e Shqipërisë konçesionari i aeroportit të Tiranës, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka ndryshuar direktivat për të ndërtimin e aeroportit të ri.

Bëhet fjalë për ngritjen e një piste për avionët në jug të vendit, duke “harruar” kështu vënien në punë të një aeroporti që është gati si ai i Kukësit.

Në bazë të dokumenteve të siguruar nga Tv Klan, transportet kanë vënë në dispozicion një shumë prej 250 mijë dollarësh, për të mundësuar një studim se në cilën zonë të jugut do të ndërtohet ky aeroport.

Një nga alternativat më të mundshme është për Sarandën, duke qenë se ka afër edhe ishullin grek të Korfuzit. Në dokumente kërkohet që të bëhet sa më e plotë llogaritja e fluksit të udhëtarëve në këtë pistë, pasi është element i domosdoshëm për afrimin e kompanive që do e menaxhojnë atë.

Por këtë vit, edhe nëse studimi bëhet, nuk është buxhetuar asnjë fond për ndërtimin e një aeroporti të ri, duke bërë sërish “de facto” konçesionarin TIA, kompaninë monopol që ka të drejtat e fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri.

Burime nga Aviacioni Civil, thonë se për Kukësin nuk ka pasur asnjë interes për ta vënë në operim, kjo për shkak edhe të frikës së fluksit të udhëtarëve. Aeroporti i Kukësit ndodhet në pozitë gjeografike shumë afër me atë të Gjakovës. Pavarësisht shtyrjes me dy vite të tjera të kontratës me Tirana International Airport,  përfituesi i vetëm në këtë marrëveshje rezulton të jetë konçesionari.

Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të biletave në rajon dhe Europë, për shkak të tarifave të larta që u ve firmave të fluturimit kompania që ka Rinasin./Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi