Zakonisht, kur duam të themi diçka në një gjuhë të huaj, me gjasë përdorim Google Translate. Këtë mund ta bëjmë për arabishten, frëngjishten por tani Google dëshiron të na ndihmojë të flasim me delfinët dhe të arrijmë “komunikimin midis specieve”.
Google ka krijuar një model gjuhësor të trajnuar në tingujt që prodhojnë këta gjitarë ujorë, si kliket dhe fishkëllimat. DolphinGemma synon të zbulojë çfarë po thonë delfinët dhe ndoshta ne mund t’u përgjigjemi.

Ne e dimë që këta gjitarë ujorë janë shumë të zgjuar dhe komunikojnë me njëri-tjetrin. Ata konsiderohen ndër krijesat më inteligjente në botë, mund të njohin veten në pasqyrë dhe t’i mësojnë gjëra njëri-tjetrit. Shkencëtarët besojnë se ata përdorin ‘emra’ dhe mund të thërrasin një individ të caktuar të kopesë.

Prej dekadash ka pasur përpjekje për deshifrimin e gjuhës së delfinëve, por Inteligjenca Artificiale mund të shumëfishojë gjithçka.
Google DeepMind po bashkëpunon me Wild Dolphin Project, i cili prej vitesh ka mbledhur video dhe audio të delfinëve. Modeli i IA do të trajnohet në këtë bazë të dhënash duke kombinuar tingujt me sjelljet për të kuptuar domethënien e tyre.

Gjithashtu do të përdoret chatbot-i i delfinëve. Qëllimi është edhe t’u flasim atyre dhe po punohet për krijimin e tingujve si fishkëllimat për të nxitur delfinët që të lidhen me ta për gjëra që ata kanë interes si për shembull, algat e preferuara.
Nëse ky eksperiment vërtet funksionon, a do të na pëlqejnë përgjigjet e tyre?/tvklan.al