Sulmuesi “thyen” rekordin mbi 50-vjeçar, bëhet golashënuesi më i mirë i klubit

Harry Kane shkruajti edhe një herë emrin e tij në librat e historisë së Tottenham Hotspur. Anglezi u bë golashënuesi më i mirë i të gjithë kohërave me fanellën e “gjelave”, duke thyer një rekord që mbahej prej më shumë se 50 vitesh.

Me golin që rezultoi edhe ai i fitores, Kane u ngjit në kuotën e 267 golave, për të kapërcyer rekordin e mbajtur nga legjenda Jimmy Greaves që nga sezoni 1969-1970.  Shifra që Kane e arrin në paraqitjen e tij të 416 me londinezët. Ndërkaq, me këtë realizim, Harry Kane është lojtari i tretë që shënon 200 gola në Premier League, pas Alan Shearer (260) dhe Wayne Rooney (208).

Kane shënoi golin e tij të 200-të në ndeshjen e tij të 304-të, më pak se Shearer (306) dhe Rooney (462).  Goli në duelin numër 304 në kampionat ishte vendimtar për Tottenham, që koleksionoi fitore ndaj një Manchester City që vijon zhgënjimin dhe mbetet shumë e distancuar nga Arsenali kryesues. Edhe në arenën Europiane, sulmuesi 29-vjeçar kërcënon edhe rekordet e dy legjendave, si Gerd Muller dhe Lionel Messi.

Vetëm këto dy lojtarë kanë shënuar më shumë se Kane në një kampionat elitar të kontinentit të vjetër, përkatësisht Muller 356 në Bundesligën gjermane dhe Messi 474 në La Ligën spanjolle. Një urim të veçantë, nënkampioni i Europës e mori nga trajneri i Tottenham, Antonio Konte, që telefonoi lojtarin tepër i emocionuar në dhomat e zhveshjeve. “Ti më bën krenar” dëgjohet të thotë tekniku italian, i cili po rikuperohet pas operacionit për heqjen e fshikëzës së tëmthit.

Klan News