Shqipëria vijon të ketë lajme të mira sa i përket shërimeve. Gjatë 24 orëve të fundit listës i janë shtuar 7 pacientë që e kanë kaluar sëmundjen, të gjithë nga Shkodra.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri total i atyre që janë shëruar ka shkuar në 410. Numri i tyre është më i lartë se i rasteve aktive, tendencë kjo që vazhdon të jetë e qëndrueshme prej disa ditësh.

Por si paraqitet situata nëpër bashki?

Bashkia më e prekur është ajo e Tiranës. Në total në kryeqytet ka 293 të infektuar. Mirëpo raste aktive aty janë 93. Kjo pasi 183 persona janë shëruar, ndërsa 17 të tjerë fatkeqësisht kanë humbur jetën.

Një ndër zonat më të prekura është ajo e Shkodrës. Atje ka në total 104 të infektuar. Nga këta, 48 raste vijojnë të jenë aktive, pasi 55 janë shëruar ndërsa 1 person ka humbur jetën.

Situata më e rëndë mbetet në Krujë. Kjo pasi shumica e të infektuarve, 92, janë zbuluar së fundmi dhe lidhen me fasoneritë. Atje janë rikuperuar 7 persona, ndërsa numri i rasteve aktive është 85, një numër i lartë në raport me popullsinë.

Në Durrës kanë mbetur vetëm 3 raste aktive pasi 36 pacientë janë shëruar ndërsa 3 të tjerë kanë humbur jetën. Në Fier, nga 37 raste në total, vetëm 8 janë aktive.

Kurbini është qyteti që edhe pse ka 31 të infektuar nuk ka asnjë të shëruar. Situatë pozitive duket në Korçë. Nga 19 të infektuarit, 18 prej tyre janë shëruar duke mbetur vetëm 1 rast aktiv.

Në Elbasan mbeten vetëm 3 raste aktive pasi 15 janë shëruar. Në Kukës, 10 pacientë nga 18 të infektuar në total janë shëruar.

Sukses është situata në Lezhë, pasi nuk ka mbetur asnjë rast aktiv. Të 14 të infektuarit janë shëruar. Në Has vetëm 1 rast aktiv ka mbetur pasi 12 persona janë shëruar ndërsa ka humbur jetën 1 person.

Në Kavajë janë shëruar 7 persona ndërsa 2 të tjerë kanë humbur jetën. Edhe në Vlorë janë mbyllur të gjitha rastet. Nga 5 të infektuar, 4 janë shëruar ndërsa 1 person ka humbur jetën.

Puka ka vetëm një rast aktiv ndërsa Mirdita 2. Rrogozhina dhe Tropoja, të dyja me nga 4 raste nuk kanë më të infektuar aktiv pasi të gjithë janë shëruar. Nga 1 rast aktiv ka në Berat dhe në Mallakastër.

Bashkia Të prekur Të shëruar
Tiranë 293 183
Shkodër 104 55
Krujë 92 7
Durrës 42 36
Fier 37 27
Kurbin 31  
Korçë 19 18
Elbasan 18 15
Kukës 18 10
Lezhë 14 14
Has 14 12
Kavajë 9 8
Lushnje 7 4
Vlorë 5 4
Pukë 5 4
Mirditë 5 3
Rrogozhinë 4 4
Tropojë 4 4
Berat 3 2
Mallakastër 1  
Mat 1  

/tvklan.al