Hartohet korniza e negociatave për anëtarësimin në BE të Tiranës e Shkupit



Hartohet korniza e negociatave për anëtarësimin në BE të Tiranës e Shkupit

07:00 02/07/2020

Komisioni Europian, njoftoi të mërkurën se i ka paraqitur Këshillit, projektin e kornizës së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe parimet për këto bisedime. Projekti është një përgjigje e kërkesës së vendeve anëtare e bërë në mars të këtij viti, kur Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme mori vendimin për hapjen e bisedimeve me të dy vendet.

Korniza e negociatave përcakton udhëzimet dhe parimet mbi të cilat do të udhëhiqet ky proces. Sipas një deklarate të Komisionit, “korniza ndahet në tri pjesë: parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit, përmbajtja e tyre dhe procedura që do të ndiqet. Objektivi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta miratojnë në tërësinë e tij legjislacionin e BE-së dhe të sigurojnë zbatimin e plotë dhe futjen në fuqi të tij pas anëtarësimit”.

Shtetet Anëtare, kanë marrë njëkohësisht dhe një përditësim të ecurisë që të dy vendet kanë realizuar nga muaji mars kur u mor dhe vendimi në favor të hapjes së bisedimeve. Pasi t’i kenë miratuar kornizat e negociatave, Presidenca e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian do të paraqesë pozicionin e dakortësuar të BE-së, në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, e cila do të shënjojë dhe fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Pikërisht në këtë fazë kornizat e negociatave do të bëhen publike.

Komisioneri europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaroi se “dita e sotme shënon një tjetër hap të rëndësishëm rrugëtimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Duke mbajtur angazhimin tonë, ne përcaktojmë korniza konkrete për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit që kemi paraqitur në shkurt për ta bërë procesin e anëtarësimit më të besueshëm, me një orientim më të fortë politik, më dinamik dhe të parashikueshëm”, u shpreh komisioneri Varhelyi, duke shtuar se “pres me padurim diskutimet me shtetet anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt të konferencave të para ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre qëndron qartazi në Bashkimin Evropian dhe unë jam i sigurt se ato do të vazhdojnë të zbatojnë reformat në udhën e tyre drejt BE-së, ashtu siç kanë bërë deri më tani”.

Për Shefin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadorin Luigi Soreca: “tani është thelbësore që qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera përkatëse shqiptare të vazhdojnë ta përqendrojnë veprimin e tyre në adresimin e të gjitha kushteve të përcaktuara nga Këshilli marsin e kaluar, me vullnet të fortë politik, me frymë bashkëpunimi dhe në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar”. /VOA




Të ngjashme