Ministri i Jashtëm në Forumin e Budapestit: Shqipëria, rol të rëndësishëm përmes gazsjellësit Trans-Adriatik

I ftuar në Forumin ballkanik të Budapestit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani ftoi vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkërendojnë strategjitë për prodhimin e energjisë brenda vendit, në mënyrë që ato të kthehen në ptencial për sigurinë energjetike në Evropë

Ministri Hasani nënvizoi kapacitetin e vendit tonë për prodhimin e energjisë nga uji, por edhe nga dielli e era.

 “Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Korridorin Jugor të Gazit, veçanërisht përmes gazsjellësit Trans-Adriatik. Është një model i bazuar në diversifikimin,ku energjia shërben si katalizator për hapjen e rrugëve të duhura për tregtinë dhe diplomacinë. Është koha që ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm të punojmë për prodhimin e energjisë brenda vendit, por edhe të bashkërendojmë strategjitë e të kthehemi në potencial kryesor të sigurisë energjitike për Evropën.”

Gjatë vizitës në Budapest, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u prit edhe homologu i tij, Peter Szijjarto. Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Fakti që Presidenca Hungareze e Këshillit të BE e ka shpallur integrimin e Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e saj, është treguesi më i qartë i këtij përkushtimi. Ne do të kishim dashur që rajonin tonë dhe rëndësinë e integrimit të tij ta kuptonin sa më shumë vende të BE po aq mirë sa e kuptojnë miqtë tanë hungarezë. Jam i bindur që procesi do të kishte qenë sot shumë më i avancuar”.

Sipas ministrit Hasani, ka rritje të qartë të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe sot Hungaria është më e pranishme se kurrë në tregun shqiptar. Dy ministrat nënshkruan dy marrëveshje, një në fushën e arsimit dhe një memorandum mirëkuptimi në fushën e diplomacisë.

Klan News