“Jemi optimist për procesin e integrimit”

Qeveria vendos të shpallë 22 nëntorin festë kombëtare, e njohur si dita e Alfabetit shqiptar. Ministri i Jashtëm Igli Hasani pas mbledhjes së qeverisë, u shpreh se Kongresi i Manastirit i 116 vite me parë përfaqëson një simbolikë të veçantë.

“22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, të cilët janë të shpërndarë në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuar në të gjitha fetë monoteiste. Por ajo që vërtetë i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen me këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë në alfabetin latin”.

Ideja për shpalljen si feste kombëtare të 22 nëntorit u hodh nga kryeministri Edi Rama gjatë Samitit të Tretë Diasporës të zhvilluar në Tiranë në nëntor të vitit të kaluar.

Ndërsa sa përket procesit të integrimit evropian, ku hapja e kapitujve të parë u bllokua nga Greqia në dhjetor, kryediplomati tha se Shqipëria vazhdon të kryejë detyrimet dhe është gati në çdo moment për organizimin e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare.

Sipas tij, situata do të kristalizohet dhe se institucionet e BE-së janë duke riparë edhe njëherë çfarë duhet bërë.

Tv Klan