Nga një Korriku, presidencën e radhës së Unionin Europian e merr Danimarka. Ministrja për Çështjet Europiane, që u takua në Tiranë me ministrin e Punëve të Jashtme, duke shprehur qëndrimin e qeverisë së saj, e cilëson zgjerimin si një hap të rëndësishëm gjeopolitik, që i vlen shumë Shqipërisë si vend kandidat, por dhe vetë Bashkimit Europian.
“Zgjerimi është më i rëndësishëm se kurrë për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe zgjerimi nuk është i mirë vetëm për vendet kandidate, por gjithashtu shumë i rëndësishëm për BE, që duhet të jetë më i fortë dhe më i madh. Dhe jam shumë besimplotë se Shqipëria do të bëjë një progres të madh, për t’u bërë në vitet që vijnë anëtarja më e re e BE”, tha Marie Bjerre.
Ministri Hasani ripërsërit ambicien e qeverisë ku bën pjesë, për të mbyllur procesin teknik brenda 2027 dhe shprehet optimist për qëndrimin që do mbajë Danimarka gjatë presidencës së saj 6 mujore.
“Ne jemi besimplotë se nën udhëheqjen e Danimarkës, procesi i zgjerimit do të vazhdojë të qëndrojë lart në axhendën e BE-së”, u shpreh Hasani.
E vetëm 2 ditë më vonë, grupi negociator i drejtuar nga Kryeministri, do të ulet në Bruksel për të hapur Grup-Kapitullin 3, i cili lidhet me “Konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse”, ku përfshin 8 kapituj. Qeveria ka deklaruar ambicien për hapjen brenda këtij viti dhe të 2 grupkapitujve të tjerë, i katërti: “Axhenda e gjelbër e konektiviteti i qëndrueshëm”, si dhe grupimi i 5: “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”.
Tv Klan