Ministri i Jashtëm  në Spanjë: Të angazhuarit për një mjedis miqësor ndaj biznesit

Rëndësia e diplomacisë ekonomike në rrugëtimin evropian të Shqipërisë ishte në focus të diskutimit të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në forumin e biznesit Shqipëri-Spanjë.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se vendndodhja strategjike dhe mjedisi miqësor ndaj biznesit e bëjnë Shqipërinë një zgjedhje të zgjuar për investitorët dhe turistët.

“Shqipëria është e angazhuar për një mjedis miqësor ndaj biznesit, duke reduktuar burokracitë dhe duke promovuar sipërmarrjen. Trashëgimia e pasur kulturore e Shqipërisë dhe vendndodhja e saj strategjike na lidh me Mesdheun, duke përforcuar angazhimin tonë për të nxitur stabilitetin dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta. Nga turizmi, tek industria, energjia dhe tregjet e eksportit, Shqipëria ofron mundësi premtuese për rritje dhe bashkëpunim”.

Në Akademinë Diplomatike të Spanjës, Ministri Hasani nënvizoi faktin se Mesdheu është një nga tre shtyllat orientuese të politikës së jashtme shqiptare.

“Tre drejtimet kryesore strategjike të politikës së jashtme të Shqipërisë janë: integrimi evropian, dimensioni rajonal dhe dimensioni Mesdhetar. Mesdheu është bërë një element i rëndësishëm i politikës sonë të jashtme, por edhe një element i rëndësishëm në marrëdhëniet tona me Spanjën dhe partnerët e tjerë mesdhetarë dhe të BE-së”, tha ai.

Instituti Mbretëror Elcano, ishte një tjetër ndalesë e Ministrit Hasani gjatë qëndrimit në Spanjë, ku theksoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Për vitin 2023 Spanja renditet në vendin e 9-të të partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë.

Klan News