Avokatët mbrojtës: Gjykimi të nisë Qershorin e 2022-shit

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po zhvillojnë këtë të mërkurë seancën e dytë gjyqësore në Gjykatën e Specializuar.

Konferenca pritej të niste në orën 11:00, por në një njoftim të komunikuar nga Dhomat e Specializuara u shty dhe nisi pas 45 minutave.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk ndodheshin në sallën e gjyqit dhe përfaqësoheshin nga avokatët e tyre përmes lidhjeve live.

Në seancë po diskutohet për ecurinë e çështjes, të gjithë avokatët mbrojtës kanë kërkuar që gjykimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nisë jo më herët se në verën e vitit 2022.

Avokati mbrojtës i Thaçit, David Hooper dhe ai i Veselit, Ben Emmerson thanë se duhen të paktën 18 muaj që të kryejnë hetime në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen.

Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit Venkateswari Alagendra dhe ai i Rexhep Selimit, David Young po ashtu thanë se iu duhet kohë e mbajtueshme që të mund të kryejnë hetime të thella.

Emmeson u shpreh se mendon se gjykimi mund të zgjasë deri në dy vjet. Të gjithë avokatët e quajtën “absurde” kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjykimi të nisë në Qershor të vitit 2021.

“Prokuroria ka pasur pesë vjet që të hetojë këto çështje ashtu si edhe burime të pakufizuara, prandaj Gjykatësi i Procedurës Paraprake duhet të vendosë balancën këtu që palët të mos zhgënjehen nga kjo mungesë proporcionaliteti dhe nuk duhet bërë sugjerimi që nuk duhen bërë hetime nga ana e mbrojtjes. E mbështesim sugjerimin e David Hooper [avokati i Hashim Thaçit] që gjyqi nuk ka si të fillojë para Qershorit të vitit 2022 që është më e hershmja që mund të fillojë, madje mendoj se realisht nuk mund të fillojë as atëherë”, tha Emmerson.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake tha se në seancën e sotme nuk do të caktohet dita për nisjen e gjyqit. Sipas tij, kjo do të nisë në momentin që Prokuroria do të japë informacionin e detajuar dhe materialet mbështetëse që ka në dispozicion për aktakuzën.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se brenda javësh, palës mbrojtëse do t’iu dorëzohen mbi 1,000 materiale shtesë, duke shtuar se mbrojtja ka materiale të mjaftueshme që të nisë hetimet.

Ish-drejtuesit e UÇK-së dolën për herë të parë në gjyq më 9 Nëntor dhe u vetëdeklaruan të pafajshëm ndaj akuzave të Gjykatës Speciale.

Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit, vrasje të paligjshme dhe torturime gjatë luftës së fundit në Kosovë./tvklan.al