Kosova është e përkushtuar në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ka thënë ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu në konferencën rajonale “Parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në burgjet e Evropës Juglindore – sfidat dhe e ardhmja” që është mbajtur në Jahorinë të Bosnje dhe Hercegovinës.

“Kosova si pjesë e agjendës globale në luftën kundër Radikalizmit dhe Ekstremizmit të dhunshëm ka vendosur në objektivat e saja masa të shumta institucionale për parandalimin dhe luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, një dukuri që nuk ka lënë pa prekur asnjë nga vendet tona, por edhe shumë më gjërë”, ka thënë Haxhiu, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.

Ministrat dhe përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse, përmes një deklarate të përbashkët, kanë miratuar konkluzione të cilat kanë dalur nga diskutimet e konferencës, e që kanë të bëjnë me përkushtimin në luftimin dhe parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në burgjet e Evropës Juglindore.

Ministri i Drejtësisë i Bosnjës dhe Hercegovinës, Josip Grubesa, prezentoi sfidat e luftimit të radikalizimit dhe ekstremizmit dhe gjithashtu, potencoi rëndësinë e luftimit të tij në të ardhmen.

Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian dhe ai i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut kanë vlerësuar punën e institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e radikalizmit.

Kosova ka miratuar Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit kundër Terrorizmit (2018-2023) e cila është në pajtueshmëri me Strategjinë e BE-së kundër terrorizmit./REL