Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku do të jenë kandidatë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ata i paraqitën kandidaturat e tyre të hënën, në një takim të Kryesisë së LDK-së.

Haziri aktualisht është nënkryetar i LDK-së, ndërsa Abdixhiku anëtar i Kryesisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë kuvendin e saj zgjedhor më 14 mars, kur edhe pritet zgjedhja e kryetarit të ri.

Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka vendosur ta thërrasë kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, për të ofruar dorëheqjen e tij.

Vendimi ka pasuar rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Në këto zgjedhje, LDK-ja ka dalë partia e tretë, me gjysmë vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Ditë më parë, edhe Anton Quni, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.

Si zgjidhet kryetari i ri i LDK-së?

Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen në punimet e kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që “secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm”.

Duke marrë parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidat potencial i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në listën e kandidatëve për kryetar.

Por, në rast se kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për kryetar.

Në historinë e LDK-së, kjo është hera e parë që një kryetar jep dorëheqje.

LDK-ja është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugovën (bashkëthemelues i partisë), Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën./REL