“Jashtë zonës së mbrojtur, solli ujë të pijshëm e rrugë për banorët”

Debatit publik se hidrocentrali i Zajsit në fshatin Zall Gjoçaj të Matit është ndërtuar në zonë të mbrojtur, gjeologu Bardhyl Muçeku, njëherësh përfaqësues i shoqërisë koncesionare, i përgjigjet përmes hartave aktuale. Ai sqaron se leja për ndërtimin e HEC-it u miratua sepse ndodhej 4 kilometra larg nga parku kombëtar i Zall Gjoçajt.

“Në dhënien e lejes së koncesionit nuk ka qenë zonë e mbrojtur. Në 2018 për një moskoordinim të ministrive, zona e mbrojtur u shtri deri edhe 6 kilometra dhe përfshiu edhe gjurmën tonë me 2 kilometra. Ky gabim u korrektua në 2020, u rishikuan nga ekspertë vendas dhe të huaj  dhe zona e projektit ku po flasim nuk është më zonë e mbrojtur”.

Muçeku sqaron më tej se ky ujë nuk është përdorur asnjëheëe nga banorët që jetonin në luginën e Matit përveç fshatit Melth, sepse ai humbet pas 2 kilometrash për arsye natyrore. Po tashmë ky ujë përdoret nga të gjithë ata falë investimeve nga hidrocentrali, e po ashtu është rritur sasia e ujit për 3 kanale vaditëse në këto fshatra.

“Këtë ujë përmes tubacioneve të HEC-it mund ta përdorin në kohën e vaditjeve, banorët në kohën e Verës që HEC-et janë të fikura. Është shtrirë 6 kilometra tubacion për ujë të pijshëm vetëm për 2 familje të fshatit Melth. I është lënë ujë për vaditje zonës së Mirditës, dhe 7 tubacione për ujë të pijshëm për fshatin Lufaj. Janë kryer gjithsej 80 kilometra rrugë, 26 kilometra janë rrugë të reja që nuk kanë ekzistuar”.

Përfitime sipas tij ka drejtpërdrejt edhe shteti shqiptar.

“Ky HEC gjatë muajit Dhjetor ka prodhuar 800 mijë kw/orë dhe shteti shqiptar e ka blerë me 7 lekë/kw pra rreth 48 mijë Euro. Nëse HEC-i nuk do të punonte, shteti shqiptar do e blinte në tregun ndërkombetar me 30 lekë kw/orë ose mbi 200 mijë Euro. Pra i ka kursyer shtetit shqiptar gati 150 mijë Euro”.

Po ashtu për fshatrat e zonës së Matit është ndërtuar nga e para një linjë elektrike prej rreth 15 kilometrash.

Tv Klan