Për shkak të vonesës së ish-deputetes Donika Kadaj-Bujupi, me 10 minuta vonesë ka filluar shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Kryetarja e trupit Gjykues, Fatine Dërmaku tha se tha se pas ardhjes së Donika Kadaj-Bujupi mund të mbahet seanca fillestare.

“Në këtë seancë janë të pranishëm Pal Lekaj, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi sepse pa prezencën e saj nuk mund të mbahet shqyrtimi fillestar “.

Para se gjykata t’i njoftojë të pandehurit me të drejtat e tyre avokati i Pal Lekajt, Arianit Koci i ka deklaruar gjykatës se prokuroria nuk i ka dorëzuar të gjitha provat e këtij rasti.

“Prokuroria nuk mi ka dorëzuar të gjitha provat më mungon vërtetimi mbi marrjen e përkohshme të sendeve, unë e kam një vërtetim, por kjo ka të bëjë me zonjën Albulena Haxhiu dhe nuk ka të bëjë me klientin tim”, ka thënë Koci.

Përderisa prokurori, Ilaz Beqiri tha se ka ofruar të gjithë shkresat e lëndës që kanë pasur në dispozicion avokatëve dhe të akuzuarave, raporton EO, transmeton Klan Kosova.

“Prokuroria ka përmbushur obligimin ligjorë, me rastin e përfundimit të hetimeve dhe ngritjes së aktakuzës në këtë çështje penale juridike, por edhe në procedurë ju janë ofruar të gjithë shkresat e lëndës që kanë pasur në dispozicion nuk e di se avokati a e disponon vërtetimin mbi bartjen e sendeve mirëpo prokuroria nuk ka pasur asnjë qëllim dhe interes që ta fshehë një provë dhe mos të ia dorëzojë, mirëpo pa fajin e prokurorisë kanë kaluar më tepër se pesë vite”./klankosova