Pas 10 aksidentesh hekurudhore që shkaktuan 2 viktima dhe disa të plagosur vetëm gjatë këtij viti në kalesa paligjshme ose në kryqëzime jashtë standardeve vjen reagimi i drejtorisë së Hekurudhave në vend që kërkon angazhimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Përgjatë gjithë linjës hekurudhore Tiranë-Durrës janë 22 kalesa, nga këto 13 janë të ligjshme dhe 9 të paligjshme. TV Klan ka siguruar edhe shkresën e Drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare drejtuar Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, e cila i kërkon mbylljen e këtyre kalesave të paligjshme të cilat shpesh herë janë bërë edhe burim aksidenti me pasoja të rënda. Në shkresën zyrtare drejtuar këtij inspektorati, Drejtoria e Hekurudhës përcakton edhe mënyrën e mbylljes së kalesave si dhe zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.”

Në shkresën që mban datën 29 tetor, hekurudha thotë se për mbylljen e këtyre kalesave të paligjshme, IKMT duhet të hapë kanale anësore paralelisht me vijën hekurudhore 3 metra larg shinave. Këto kanale duhet të hapen në të gjithë gjerësinë e rrugës automobilistike për të mos lejuar futjen e automjeteve në linjën hekurudhore.

Tv Klan ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme problemin e kalimeve të paligjshme të automjeteve mbi shinat e trenit, por edhe mungesën e sigurisë aty ku këto kalime janë të përcaktuara.

Sipas ekspertëve, kalimet në nivel përgjatë gjithë kësaj linje hekurudhore janë problematike, pasi mungojnë barrierat dhe gjysmë barrierat, si dhe sinjalistika e duhur.

Aksidenti i fundit ndodhi vetëm një javë më parë kur treni i pasagjerëve i linjës Elbasan-Kashar, përplasi këtë automjet që po kalonte mbi shina duke lënë të plagosur drejtuesin e tij.

Tv Klan