Këshilli i Ministrave ka miratuar marrëveshjen e grantit për projektin e rindërtimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Marrëveshja prej 136 milionë eurosh është nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbështetur nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Ky investim është pjesë e strategjisë së BE-së për ta shtrirë rrjetin trans-europian të transportit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit, turizmin ndërkombëtar, si dhe do të mbështesë zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik.

Kjo linjë do të reduktojë ndikimin mjedisor të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve, falë elektrifikimit të saj.

Investimi do të mundësojë elektrifikimin e më shumë se 120 kilometrave binarë dhe rinovimin e 12 stacioneve treni. Projekti do të përfundojë brenda vitit 2030.

Tv Klan