Një tjetër nxënës është proceduar nga policia e Fierit, për ngjarjen e ndodhur më 4 Mars në gjimnazin “Janaq Kilica”, ku si pasojë e hedhjes së një sprajti me lëndë gazi në ambientet e brendshme, u helmuan 58 nxënës dhe 2 mësues.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se ka proceduar penalisht 19-vjeçarin me iniciale Xh. B., banues në Levan, nxënës i vitit të tretë në këtë shkollë.

19-vjeçari në bashkëpunim me dy nxënësit e tjerë të cilët u proceduan më parë në gjendje të lirë, dyshohet se ka përdorur sprajt me lëndë gazi me mbishkrimin “DIVA” në ambientet e brendshme të shkollës, duke shkaktuar shqetësime në frymëmarrje të disa nxënës të shkollës”, thuhet në njoftimin e policisë.

I riu akuzohet për veprat penale ndotja e ajrit dhe prishja e qetësisë publike./tvklan.al