“Emigrantët fshihen pa paralajmërim nga listat”

Serbët po kryejnë një spastrim të fshehtë etnik ndaj shqiptarëve të Preshevës dhe këtë po e bëjnë përmes mekanizmave të administratës. Alarmi jepet në një raport të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ku thuhet se banorët shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit po fshihen gradualisht nga adresat e tyre të banimit, përmes të ashtuquajturit “Procesi i pasivizimit”.

Raporti konstaton se pre e këtij procesi po bien shqiptarët që janë në emigracion në Kosovë e në vendet e Bashkimit Europian. Emrat e tyre fshihen nga listat banorëve të njësive administrative ku kanë shtëpitë. Këto shtëpi regjistrohen si të pabanuara ose të braktisura, por ky proces me kalimin e viteve u rrezikon atyre deri shtetësinë serbe.

Për më tepër në raport tërhiqet vëmendja se këta persona, që në fakt janë të shumtë, nuk janë në dijeni të këtij procesi, pasi autoritetet serbe me pretendimin se nuk e dinë vendndodhjen e tyre, nuk i lajmërojnë duke mos u ofruar as kohën minimale për ankimim.

Një tjetër shqetësim që shpreh raporti është se shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk u njihen as diplomat e shkollave të mesme dhe të larta, duke mos u lënë atyre tjetër alternativë veç emigrimit.

Tv Klan