Në vitrinën e kopertinës së Vogue për muajin qershor është Hailey Bieber. Sipërmarrëse, modele,  bashkëshortja e një prej yjeve më të famshëm të muzikës dhe tashmë edhe nënë e një djali. 

Jack Blues erdhi në jetë në gusht të vitit të shkuar dhe gjithë bota e tyre ndryshoi. 28-vjeçarja shprehet se gjithnjë ka dashur fëmijë dhe në këtë pikë mendonte se do të kishte më shumë sesa një.

Ajo përshkruan ndryshimet fizike të shtatzënisë dhe sesi ia shndërroi raportin me veten. Hailey ndan  momentet kur reflektonte se tashmë s’do të ishin vetëm ata të dy dhe frika nga e papritura. Mëmësia ishte plot me të tilla.

Lindja ishte gjëja më e vështirë që kam bërë”, thotë modelja duke treguar se po bënte çdo ushtrim e terapi të mundshme, por procesi natyral nuk ndodhi.

Në javën e 39-të, lëngu amniotik nisi të rridhte dhe lindja u bë me stimulim. Mjekët përdorën Pitocin, një mjekim që provokon kontraktimet dhe një tullumbac Foley ku një pajisje si kateter vendoset në mitër dhe mbushet me solucion që të zgjerohet qafa e mitrës. Kombinimi njihet për parehatinë që shkakton.

“Ishte çmenduri. Aspak argëtuese. Ata bënë që të më plasnin ujërat. Më nisën dhimbjet e lindjes për disa orë. Pa epidural, pa asgjë.”

Pas 18 orësh, në jetë erdhi djali që kishte ëndërruar prej muajsh.

Hailey rrëfen për hemorragjinë që nuk i ndalonte. Mjekët përdorën ilaçe të ndryshme që t’i mpiksnin  gjakun, por asgjë nuk funksiononte. Më pas, ata i vendosën një aparat me vakuum që provokon  kontraktime dhe sigurisht nuk kishte garanci se kjo do të ndalonte hemorragjinë, por asaj iu desh të duronte për orë të tëra.

“Doja të mbaja beben time. Doja të isha me të”, thotë ajo për orët e frikshme të pritjes derisa gjithçka mbaroi.

Hailey thotë se lindja shpesh përshkruhet si procees natyral, por gjërat mund të mos shkojnë mirë edhe nëse ke të gjitha paratë e botës. Ajo dëshiron edhe një fëmijë tjetër, ndoshta më shumë, por “sipas radhës”./tvklan.al