Hëna e humbur shpjegon unazat e Saturnit, çfarë thotë teoria e re shkencore


Hëna e humbur shpjegon unazat e Saturnit, çfarë thotë teoria e re shkencore

13:34 16/09/2022

Unazat dhe aksi i pjerrët e bëjnë Saturnin planetin më të dallueshëm në sistemin diellor. Shkencëtarët kanë një teori të re se si planetit të gaztë mund t’i jenë krijuar këto karakteristika kaq të dallueshme.

Një hënë e lashtë, e humbur mund të jetë zanafilla e tyre. Sot, Saturni ka 82 hëna dhe mendohet se dikur planeti ka patur një tjetër që orbitonte rreth tij për disa miliona vjet. Por rreth 160 milionë vite më parë, hëna u përplas me Saturnin dhe u copëzua në 99% të saj.

Kjo përqindje u gëlltit nga gjigandi i gaztë, ndërsa pjesa e mbetur pluskonte në orbitë duke formuar pjesë të vogla të akullta që u bashkuan në trajtën e unazave, sugjerojnë kërkuesit.

Kërkimet e mëparshme kanë vlerësuar se unazat e Saturnit janë 100 milionë vjeçare, shumë më të vona se sa vetë planeti, ndonëse mosha e tyre është një temë e nxehtë diskutimi.

Teoria e re hedh dritë edhe mbi dy tipare të tjera. Më parë mendohej se animi 26.7 gradë i planetit vinte për shkak të ndërveprimeve gravitacionale me Neptunin, por teoria e hënës së humbur sjell një shpjegim të ri.

Dikur dy planetët mund të kenë lëvizur në sinkron dhe humbja e një hëne mund të ketë mjaftuar për ta shkëputur Saturnin nga tërheqja e Neptunit duke i shkaktuar pjerrësinë.

E njëjta gjë mund të ketë bërë që hëna e Saturnit, Titani, e dyta më e madhja në sistemin diellor, të largohet çdo vit 11 centimetra prej tij.

Hëna e humbur është emërtuar Krizalida, njësoj si krizalida e një fluture, për shkak të mënyrës si shkencëtarët mendojnë se e ka ndryshuar planetin. Ata pranojnë se teoria e re mund të jetë një “histori e mirë”, por duhet testuar dhe ekzaminuar nga astronomë të tjerë./tvklan.al












Të ngjashme