Njihuni me Cecil, qenushin që hëngri 4000 dollarë.

Pronarja e tij, Carrie Law rrëfeu për “BBC” famën e menjëhershme të katërputroshit të saj.

“Ai është shumë i ëmbël”, shprehet ajo. Qeni, i cili është 7 vjeç, u bë viral në rrjetet sociale pasi hëngri disa kartmonedha.

“Jam e lumtur që kemi një histori me të cilën njerëzit mund të qeshin. Mendoj se të gjithë mund të kemi pasur një kafshë shtëpiake apo një fëmijë të vogël që ka luajtur me diçka që s’duhej. Pak a shumë ky është edhe rasti ynë”.

Pronarët e Cecil ia dolën që të rikuperonin pjesën më të madhe të parave, përveç 450 dollarëve.

“Në të vërtetë, nuk u zemëruam dhe nuk mendoj se mund të nxehesh vërtet me një kafshë që bën diçka të tillë. Ata mund të bëjnë diçka të habitshme ose të papritur, por nuk e bëjnë me qëllim apo për të të lënduar. Dhe duhet thjesht ta duash kafshën tënde”, përfundon Carrie.