Instalacioni i artistit italian shkatërrohet nga një amerikan

Një banane në mur e ngjitur me shirit izolues, është vepra më e fundit e artit e artistit të famshëm Mauricio Katelan. Instalacioni i veçantë i quajtur “Komediani” i ekspozuar në Majemi iu shit një koleksionisti francez për 120 mijë Dollarë.

Por të shtunën ndodhi një incident që e shkatërroi këtë vepër kaq të çmuar. Artisti amerikan i performancave, David Datuna e shkuli nga muri, e qëroi dhe e hëngri bananen 120 mijë Dollarëshe.

Veprimi i tij shkaktoi habinë e dhjetëra vizitorëve të pranishëm në sallën e ekspozitave, ku ishte vendosur banania. Ata nisën t’a xhironin me celularë këtë ngjarje, si dhe momentin kur punonjëset e ekspozitës shtangën dhe e quajtën të çmendur Datunën. Ai vetë tha se adhuronte këtë vepër, të cilën pasi e hëngri e quajti “tepër të shijshme”.

Kjo nuk është hera e parë që veprat e Katelanit prishen gjatë ekspozimit. Në Shtator, tualeti i tij i artë me vlerë 6 milionë Dollarë i ekspozuar në pallatin Bleinheim në Britaninë e Madhe, u grabit dhe ende nuk është gjetur.

Tv Klan