S’kam takuar asnjë anëtar të sistemit të drejtësisë

Botuesi Henri Çili, njëherësh aksioneri kryesor i ‘Legal Studio’, i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria mbi të cilat u arrestua dhe më pas u lirua nga Gjykata disa ditë më parë.

Përpara mediave, Çili nuk pranoi të këtë influencuar në lirimin apo uljen e dënimit për vëllezërit Aliko, të dënuar për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha në Lazarat.

“Nuk kam takuar asnjë gjykatës, as unë e as avokatët e studios ligjore, në jetën time asnjë gjykatës nuk kam takuar për të ndikuar për vendime të ardhshme gjyqësore”.

Çili hodhi poshtë edhe akuzat për mashtrim, falsifikim dhe pastrim të veprës penale, të cilat sipas tij nuk kanë lidhje me të si botues, por me kompaninë ku zotëron 75% të aksioneve.

“Nuk kam kryer asnjë veprim të paligjshëm e nuk kam mashtruar askënd. Nuk kam falsifikuar asnjë dokument. Nuk kam fshehur asnjë të ardhur, për të dy çështjet e akuzuara, nuk kam bërë asnjë arkëtim, kontratë shërbimi në të dy rastet kemi qenë në fazën e negocimit”.

Dhurimin e apartamenteve nga biznesmeni shkodran Sait Fishta, Çili e konsideroi të ligjshme dhe tha se nuk është pjesë e angazhimeve të studios ligjore për rastin e vëllezërve Aliko.

Sqaroi se nuk është pro askujt që ka kryer krime, aq më tepër të ketë vrarë policë, por për grupin e Lazaratit që akuzohet për vrasjen e efektivit të RENEA-s, tha se ligji parashikon garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor.

Arrestimin e tij, analisti nuk e sheh të nxitur politikisht, dhe thotë se do të kërkojë pafajësi dhe dëmshpërblim.

“Unë nuk mendoj se jam viktimë e ndonjë procesi politik. Kemi të bëjmë me cilësinë skandaloze të drejtësisë së vjetër në Shqipëri, me protagonizëm të sëmurë lokalë. Është një proces i pakuptimtë absurd”.

Ndërkohë Prokuroria e Përmetit i ka kërkuar po këtë të enjte Gjykatës së Apelit, rikthimin e Çilit në qeli, duke rrëzuar masën nga detyrim paraqitje në arrest me burg.

Tv Klan