Vendimi ekstrem i opozitës për të djegur mandatet e deputetëve sipas kryekëshilltarit ekonomik për CDU-në, Martin Henze, i cili ka hartuar edhe programin ekonomik të Partisë Demokratike, ka bërë që brenda unionit qëndrimet për këtë çështje të jenë të ndryshme. Në një dalje për mediat në Tiranë, Henze tha se arsyeja e bojkotit të Kuvendit nga opozita qëndron tek mungesa e kontrollit parlamentar, që sipas tij bëhet i pamundur nga mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.

“Jo çdo mesazh i mbërritur në mediat shqiptare se Europa kritikon vendimin e PD dhe opozitës për djegien e mandateve është i vërtetë, sepse informacionet që vijnë këtu janë të filtruara dhe selektuara. Në Europë, për këtë çështje ka mendime të ndryshme.

Mos harroni që opozitës në Kuvend i është mohuar e drejta e saj parlamentare, pasi aktualisht vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe atë të Lartë. Mungesa e këtyre dy institucioneve kushtetuese të drejtësisë pamundëson kontrollin parlamentar të opozitës për të kundërshtuar nga ana ligjore një sërë vendimmarrjesh nga ana e maxhoracës. Ndaj dhe në këtë kontekst është i kuptueshëm bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës.”

Përkundër deklaratave të kancelarive perëndimore dhe vetë qeverisë së vendit të tij, ai thotë se protestat e dhunshme në Tiranë nuk i bëjnë aspak përshtypje, pasi në vendin nga ai vjen, ndjesitë emocionale të qytetarëve në tubime janë edhe më të forta.

“Protestat janë një e drejtë legjitime e çdo force politike dhe qytetari në çdo vend demokratik. Është e vërtetë që gjatë një tubimi duhet të respektohen disa rregulla, por më lejoni t’u kujtoj që incidente në protesta nuk ka vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës. Mjafton t’u kujtoj këtu protestat e forta që janë zhvilluar në Gjermani, që kanë qenë edhe më shumë emocionale se ato që pamë këtu në Tiranë, pasi ka njerëz të cilët janë më të prekur, por kjo nuk cënon aspak të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar”.

Ndryshe nga disa prej kolegëve të tij në Gjermani, nuk sheh asnjë stepje të investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri, për shkak të protestave. Martin Henze thotë se arsyeja e stepjes së kapitalit të huaj në Shqipëri qëndron tek niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan