Komisioni për çështjet e mandateve dhe imunitetit në Parlamentin maqedonas i hapi rrugë heqjes së imunitetit të Nikolla Gruevskit. Kërkesa iu drejtua parlamentit nga Gjykata Penale që e ka dënuar ish-kryeministrin me 2 vite burg për abuzim me tenderat për automjetin e tij luksoz.

5 nga 9 anëtarët e komisionit votuan pro dhe 1 kundër. Dritën e gjelbër ia dha të martën edhe komisioni për çështjet kushtetuese. Votimi do të bëhet në seancën e të premtes, por gjasat janë të pakta që Gruevskit t’i hiqet imuniteti.

Talat Xhaferi, Kryetar i parlamentit të Maqedonisë: Shumica parlamentare nuk i ka 2/3  e votave. Por unë si kryetar parlamenti kam detyrimin ta nxjerr në rend dite në bazë të procedurave, në bazë të afateve që i parashtrojmë.

Shumica qeverisëse siguroi 80 vota pasi 10 deputetë të VMRO-DPMNE-së pranuan të bashkëpunojnë për ndryshimet kushtetuese sipas marrëveshjes me Athinën. Por ata nuk do të mbështesin heqjen e imunitetit të Gruevskit. Sipas konstitucionalistëve, çështja e burgimit të tij mund të diskutohet pas përfundimit të mandatit si deputet.

Tv Klan