Shqipëria pret që të rrisë vitin e ardhshëm prodhimet bujqësore vendase, si në sasi dhe në cilësi. Masa për përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar të farave, fidanëve, plehrave kimikë dhe pesticideve do të nxisë fermerët në përdorimin e inputeve më të sigurta e të kontrolluara, por do të ulë dhe koston e prodhimit të tyre.

Zv/ministri i Bujqësisë Ilir Halilaj thotë se prodhimi bujqësor do të bëhet më konkurrues në rajon, duke qenë se deri më sot vendi ynë ishte i vetmi që tatonte në masën 20% inputet për këtë sektor.

Kontrabanda për pesticidet dhe plehrat kimikë ka qenë mjaft e lartë, duke bërë prodhimet të pasigurta.

Heqja e tvsh-së nuk do të thotë se mallrat që hyjnë në doganë nuk do të deklarohen, por ato nuk do të kenë ngarkesë takse, si në import, ashtu dhe në shitjen në tregun e brendshëm. Halilaj thotë se po ashtu, përfitimi për përjashtim nga tatimi mbi vlerën e shtuar është edhe për farat e fidanët që prodhohen në vend.

Ministria e Bujqësisë do të nisë prej muajit Janar monitorimin e tregut të inputeve, nëse do të reflekohet apo jo në çmim heqja e taksës 20% që votoi Parlamenti. Nëse importuesit dhe tregtarët e këtyre produkteve nuk do të ulin çmimet, qeveria do të rikthejë tatimin e tyre.

Tv Klan