Propozimi depozitohet në Kuvend nga 3 deputetë socialistë

Kuvendi do të shqyrtojë së shpejti një nismë, e cila synon të heqë kushtin ligjor për pagesën e taksës së infrastrukturës për ndërtimin e bërë përpara se të marrësh lejen e legalizimit.

Propozimi është depozituar në Parlament nga tre deputetë socialistë, kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla, Evis Kushi dhe Klotilda Bushka.

Aktualisht për të gjithë pallatet dhe banesat e ndërtuara pa leje, ligji për taksat vendore parashikon një taksim prej 0.5% të vlerës së investimit si taksë për ndikimin në infrastrukturë dhe ky është një kusht i cili duhet të plotësohet përpara se të lëshohet leja e legalizimit nga autoritetet, në këtë rast Agjencia e Kadastrës.

Propozimi i deputetëve kërkon heqjen e kushtit të pagesës së taksës përpara dhënies të lejes së legalizimit, por nuk detajon mënyrën se si do të paguhet tatimi më pas.

Taksa e ndikimit të infrastrukturë varion nga 100 deri në 500 euro për shtëpitë që legalizohen, çka rrit faturën financiare për individët dhe ndërtuesit që kanë banesa për të legalizuar.

Aktualisht janë mbi 60 mijë kërkesa nga qytetarët dhe bizneset për të legalizuar ndërtimet pa leje.

Tv Klan