Fëmijët e “Në Kurthin e Piter Pan” kanë gjithnjë shumë kuriozitet dhe kërkojnë nga të ftuarit që t’u tregojnë sa më shumë rreth tyre. Këtë të hënë, përballë tyre ishte aktori Bes Kallaku, i cili u përball me një mori pyetjesh. Fëmijët kërkuan të dinin prej tij nëse kishte qarë kur lindi vajza, nëse ia ndërronte asaj pelenat e shumë gjëra të tjera.

A qajnë burrat? Kur more Ajkën për herë të parë në duar a qave?

“Kjo është pak e vështirë, se zakonisht burrat nuk qajnë, por unë kam mendimin që ata njerëz që nuk kanë ndjenja, ata nuk qajnë. Dhe ata që nuk janë burra, ata nuk qajnë. Hera e fundit që qava ishte para dy ditësh, kur i preka kicin (dhëmbin) Ajkës”.

Një pyetje kishte edhe prezantuesja e spektaklit Alketa Vejsiu, e cila i kërkoi aktorit që të sqaronte njëherë e mirë, se kush ia kishte rrëmbyer zemrën i pari, ai Xhensilës, apo Xhensila atij.

Ia vodhe zemrën, a ta vodhi zemrën, se na vdiq kjo historia. Ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë këtu…

“Unë shyqyr e njoha Xhensilën kur ajo ishte 17-vjeçe edhe ishte më e kollaj për ta gënjyer. Edhe ma vodhi zemrën apo ia vodha zemrën, e kam shpjeguar në këngën Skifterja e Zemrës…”

Teksa në ekran u shfaq një fotografi e aktorit në moshë më të vogël ku ai kishte dalë me një gomar, fëmijët e pyetën: Ti tani pëlqen më shumë lopën, gomarin apo Ferrarin?

“Në fëmijërinë time ai (gomari) ka qenë Ferrari im, edhe të them diçka… Unë dhe ai jemi rritur bashkë. Sepse ajo foto është vërtetë nga fshati, nga Bubqi”./tvklan.al