Kjo ishte hera e parë që efektivja e Forcave të Armatosura Shqiptare, Nëntetarja Zarife Hasanaj ishte pjesë e një misioni ushtarak jashtë vendit. Efektivja 32-vjeçare, e cila humbi tragjikisht jetën mëngjesin e kësaj të hëne në Letoni, ishte pjesë e një Kontigjenti, që prej 2 vitesh kontribuon në këtë vend në kuadër të një misioni të NATO-s.

Vetëm pak kohë më parë, në një video të përcjellë nga Ministria e Mbrojtjes me rastin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, efektivja Hasanaj shprehej:

“Është hera e parë që kontribuoj në misionet jashtë vendit, të bëj pastrimin e zonave të infektuara me municione të paplasura”.

Mëngjesin e kësaj të hëne, 32-vjeçarja sëbashku me Komandantin e Kontigjentit, Majorin Klodian Tanushi dhe Rreshterin Julian Kapaj po kryenin asgjesimin e municioneve të paplasura, kur disa prej tyre shpërthyen. Të tre efektivët shqiptarë mbetën të plagosur, por plagët ishin fatale për Hasanaj, e cila humbi jetën.

Për vdekjen e saj shprehën ngushëllimet Presidenti i Republikës Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, si dhe Shefi i Shtabit të FA, Gjeneral Bardhyl Kollçaku.

/tvklan.al