Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan një tjetër operacion policor, të koduar “Weekend”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i A. Dh, 30 vjeç, banues në lagjen Nr. 12, Nishtulla, Durrës.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion në rrugë operative se A. Dh. merrej me shpërndarje të drogave të forta, kryesisht në fundjavë, në lokale nate. Gjithashtu, ky person përgatitej për të kultivuar bimë nakotike, pasi kishe siguruar një sasi farash kanabis sativa.

Gjatë operacionit, atij iu kapën në flagrancë gjatë kontrollit fizik, doza me lëndë narkotike kokainë e heroinë, të përgatitura gati për shitje.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan gjithsej, 1 kg heroinë, 6.5 gr. kokainë, një qese me fara kanabisi, një peshore elektronike dhe një sasi eurosh, paund e lekë shqiptare, të dyshuara të përfitura nga shitja e lëndëve narkotike.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./tvklan.al