Ishim duke pritur që të festonim festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit, por java që po lemë pas është padyshim një nga javët më të vështira për vendin tonë. Shqipëria u trondit si pasojë e tërmetit të ditës së martë që shkaktoi 51 viktima.

Por në mes të kësaj situate nuk mund të lihen pa përmendur edhe “heronjtë” e këtyre ditëve. Bëhet fjalë për vullnetarët që kanë shërbyer në të gjitha pikat e rrezikut, në Thumanë, Durrës, apo dhe zonat e tjera të prekura nga tërmeti.

Emisioni “Jo vetëm modë” në Tv Klan ka shkuar dhe ka vizituar nga afër këta njerëz që lanë familjet e tyre për të qenë pranë familjeve që kanë më tepër nevojë, duke dhënë mbështetjen dhe ndihmën e tyre për gjithë personat e prekur.

Blerina Gjidiaj, pjestare e “World Vision Laç” tregon se është traumatizuar nga tërmeti dhe nuk ka ditur ç’të bëjë, edhe pse i duhet të kujdeset për fëmijët e saj, ajo ka zgjedhur të jetë edhe pranë fëmijëve të prekur, që pas tragjedisë kanë nevojë që dikush të kujdeset për ta.

Të del nga shpirti, përveç detyrës që kam, unë e ndjej. Jam prind po ashtu, mundohem si për fëmijët e mi ashtu të gjendem pranë edhe për këta fëmijë”.  

Sekretari i përgjithshëm i “Kryqit të Kuq Shqiptar”, Artur Katuçi shprehet: “Këtë ngjarje nuk e kishim përjetuar më përpara. Kryqi i Kuq Shqiptar e ka në fokusin e vet kryesor përgatitjen për raste të jashtëzakonshme. Shpresonim që ky rast i keq mos ishte për Shqipërinë, por ja që për fat të keq katastrofa goditi. Vullnetatët tanë kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren, nuk e ekzagjeroj po të them 24 orë në ditë. Selia jonë është plot me studentë, dalin në doganë presin kamionë, shoqërojnë Kryqin e Kuq. Në Durrës është një bërthamë prej 50 të rinjsh dhe të rejash që janë gjatë gjithë kohës me shpërndarje“.

Ai më tej tregon se nuk ka qenë aspak e vështirë që të mblidhen vullnetarët sepse kanë qenë të gatshëm dhe kanë qenë vetë ata që janë paraqitur dhe kanë kërkuar të bëhen pjesë e grupeve vullnetare për të ndihmuar. /tvklan.al