Derbi berlinez shkon për Herthan, që mposhti në stadiumin e saj skuadrën e Unionit në shifrat 4-0. 

Pjesa e parë e takimit hapës së javës së 27 të Bundesligës ishte tepër e qetë, teksa ato pak mundësi të paraqitura ekipet nuk mundën dot t’i përkthenin në gola. Tjetër panoramë në fraksionin e dytë të lojës, me vendasit që morën situatën shumë shpejt nën kontroll, duke shënuar plot 4 herë.

Festivali i golave nisi në minutën e 51. Ibisevic devijoi saktë me kokë krosimin nga e majta duke dërguar në delir skuadrën e Herthas. Vetëm pak sekonda më pas, Union Berlin mori një tjetër goditje, ndërsa për vendasit këtë herë e gjeti rrugën e rrjetës Lukebakio.

Shpresat e Union për të marrë pikë u shuan në të 61 minutë, ku Cunha shënoi për 3-0. Boyata plotësoi pokerin 13 minuta përpara fundit. Kthimi nga karantina ka rezultuar fatsjellëse për Herthan që siguron suksesin e dytë radhazi dhe ngjitet në vendin e 10 me 34 pikë, ndërsa Union gjendet dy pozicione më poshtë me 4 pikë më pak.

Klan Plus